Njoftimi për privatësi
Për listën e njoftimit të lansimit në rregullo.net. Përditësuar më 1 tetor 2026.
Shkurt
Nëse e lë emailin në rregullo.net, e përdorim vetëm për me të lajmëru kur Rregullo të jetë gati. Nuk e shesim, nuk e japim për reklama dhe nuk të dërgojmë email marketingu pa pëlqimin tënd të veçantë. Mund të çregjistrohesh kurdo.
Kush e mbledh
Rregullo, platforma që po ndërtohet për me i lidhë njerëzit në Kosovë me mjeshtër për punët e shpisë.
Çka ruajmë
- Email adresën që e shkruan në formular.
- Pëlqimin tënd: kohën kur e dhe dhe versionin e tekstit të pëlqimit që e pranove.
- Statusin: në listë ose i çregjistruar, me kohën e regjistrimit ose të çregjistrimit.
Nuk kërkojmë emër, numër telefoni, adresë shtëpie apo të dhëna tjera.
Mbrojtja nga abuzimi: kur dërgon formularin, adresa IP e kompjuterit ose telefonit tënd përdoret vetëm në formë të koduar (një hash që ndryshon çdo ditë), për me i kufizu kërkesat e shumta automatike. Ky regjistër fshihet pas 24 orësh. Adresën IP nuk e ruajmë si të tillë.
Faqja nuk përdor cookies, analitikë apo skripte gjurmuese të palëve të treta.
Pse
Vetëm për një gjë: me të njoftu me email kur Rregullo të hapet. Baza është pëlqimi yt, të cilin e jep kur e shënon kutinë në formular.
Nëse ndonjëherë dërgojmë email tjera, si lajme apo oferta, do të të kërkojmë një pëlqim të veçantë dhe opsional. Pëlqimi për njoftimin e lansimit nuk vlen për to.
Ekipi i Rregullo merr një njoftim të brendshëm kur dikush regjistrohet. Në atë njoftim adresa shfaqet vetëm pjesërisht (p.sh. b***@g***.com).
Kush i përpunon për ne
- Cloudflare e hoston faqen dhe bazën e të dhënave (Cloudflare D1) ku ruhet lista.
- Resend i dërgon emailat (njoftimin e lansimit).
Këto kompani i përpunojnë të dhënat vetëm për me i ofru këto shërbime, dhe mund t’i përpunojnë edhe jashtë Kosovës.
Sa gjatë i mbajmë
- Në listë: adresa ruhet derisa të çregjistrohesh, ose më së shumti 6 muaj pasi të dërgohet njoftimi i lansimit, pastaj fshihet.
- Pas çregjistrimit: adresa fshihet menjëherë. Mbajmë vetëm një version të koduar (hash) të saj për 12 muaj, që ta respektojmë çregjistrimin, pastaj fshihet edhe ai.
- Mbrojtja nga abuzimi: 24 orë.
Si çregjistrohesh ose e tërheq pëlqimin
Çdo njoftim që të dërgojmë ka një lidhje Çregjistrohu. Një klikim dhe një konfirmim mjaftojnë: adresa fshihet nga lista dhe nuk merr më email.
Të drejtat e tua
Ke të drejtë me ditë çfarë të dhënash kemi për ty, me i korrigju, me kërku fshirjen e tyre dhe me e tërheq pëlqimin në çdo kohë. Tërheqja e pëlqimit nuk e prek ligjshmërinë e asaj që është bërë më parë. Nëse mendon se të dhënat e tua nuk po trajtohen si duhet, mund të ankohesh edhe te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës.
Siguria
Lista ruhet në një bazë të dhënash që mund ta qasë vetëm serveri i faqes. Faqja punon vetëm përmes HTTPS.
Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë mënyrën si i përdorim të dhënat, e përditësojmë këtë faqe dhe datën lart. Për çdo përdorim të ri që kërkon pëlqim, të kërkojmë pëlqim të ri.